Thursday

Pse Skënderbeu Nuk Donte të Martohej

Tags


Nga Ilirjan Gjika

Martesa e Skënderbeut/ 26 prilli i vitit 1451. Refuzimi i Skënderbeut dhe këmbëngulja e Arianitit

1
Për martesën e Skënderbeut është shkruar herët që pas vdekjes së Heroit duke nisur që nga Barleti, Gjon Muzaka, Biemi dhe për të vijuar me autorë të mëvonshëm. Të tillë kanë qenë ata të shekujve XIX-XX, duke përmendur në këtë rast edhe Hoph-in, Konicën, Nolin, Ermenjin dhe Edwin Jacques. Duhet thënë se rreth kësaj ngjarjeje historike jo vetëm që nuk është shkruar sa duhet por edhe në librat tanë të historisë së Shqipërisë, ajo është trajtuar përciptazi. Një mungesë e tillë “vëmendjeje” ka bërë që shpesh herë rreth kësaj ngjarjeje të aludohet edhe në mënyrë të pasaktë dhe abuzive. Por si qëndron e vërteta dhe çfarë dëshmish na sjellin autorët e ndryshëm. Le ti marrim me radhë atëherë ato.

Autori i parë që na jep të dhëna rreth martesës së Skënderbeut është Marin Barleti në veprën e tij “ Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis”, botuar në Venecia në vitin 1508. Në të ai përshkruan disa të dhëna të përgjithshme rreth martesës së Heroit, shkaqeve që çuan në të, kushteve të saj, duke mos na dhënë datën dhe vendin e celebrimit të saj, si dhe hollësi të tjera.

“Skënderbeu nuk e vonoi dasmën, por e mori me njëherë gruan në shtëpi dhe e ndau gëzimin e zakonshëm me popullin”, shkruan Barleti te historia e tij (Marin Barleti. Histori e Skënderbeut. Tiranë 1964. Fq 292).

Ndërkohë që edhe bashkëkohësi dhe bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka, na jep edhe ai të tjera të dhëna mbi martesën e Gjergj Kastriotit. 

Te “Historia e Genealogia della casa Musachia” botuar në vitin 1510, ky autor ndër të tjera shkruan se “Skënderbeu kërkoi për grua vajzën e zotit Arianit Komnen… Kështu u ujdis kjo martesë, dhe Skënderbeu mori për grua zonjën Andronika Komnena, e cila ishte kushërira ime dhe pastaj mori emrin Skënderbej nga i shoqi” (Historia e Genealogia della casa Musachia në Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt” shtëpia botuese 55. Tiranë 2009. Fq 418-419).
Më pas sipas radhës kronologjike vjen Biemi, i cili në librin e tij “Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbej”, botuar në Breshia të Italisë në vitin 1756, na sjell të dhëna interesante për dasmën e Skënderbeut. Ky autor na jep për herë të parë edhe datën e martesës dhe moshën e çiftit. Në fakt libri nuk është i Biemit, i cili nuk bëri gjë tjetër veçse përktheu nga latinishtja në italisht një tjetër vepër. 

E titulluar “Historia e Skënderbeut, e botuar prej një shqiptari” (Historia Scanderbegi edita per quendom Albanensem), ajo u botua së pari në Venecia në vitin 1480 dhe konsiderohet ndryshe edhe si historia e Anonimit të Tivarit. Pavarësisht historisë së tij ky libër mbetet për shumë arsye referenca vetme dhe kryesore për martesën e Skënderbeut.

Gjithsesi autorësia i mbeti Biemit, i cili midis të tjerave shkruan se “… vitin që pasoi 1451, e kaloi në qetësi dhe çlodhje si kërkesë për gjithë vështirësitë të viteve të shkuara. Ishte gjithashtu një vit memorial për martesën e Skënderbeut me Marinën vajzën e Arianitit si dhe për ndërtimin e kështjellës se Modrizës. Martesa u bë në datën 26 prill dhe dhëndri kishte 48 vjeç, ndërsa nusja 26 vjeçe (Giovanni Maria Biemmi. Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh. G. M. Rizzardi. Brescia 1756. Fq 285-përkthimi Etnor Canaj).

Ndërsa më vonë do të ishte Fan Noli, autori që i kushtoi një vëmendje më të madhe dhe i bëri një pasqyrim të gjerë martesës së Skënderbeut. Në veprën e tij “Historia e Skënderbeut”, Noli duke u mbështetur kryesisht te Biemi, shkruan se “dasma u bë në 26 të prillit 1451, por ndryshe nga ai, thekson se “Skënderbeu ish 39 vjetsh dhe nusja Marina Andronika-23” (Noli. Vepra IV. Tiranë 1989. Fq 149).
2

Historia jonë zyrtare shkruan shumë pak rreth martesës së Skënderbeut. Ndërkohë që libri i Historisë së Shqipërisë, vëllim i parë në vitin 1959 nuk e trajton këtë ngjarje. Kurse në librin e Historisë së Popullit Shqiptar, botim i vitit 2002, për martesën e Heroit jepet vetëm një pasazh i shkurtër: “Luftimet e vitit 1450 për mbrojtjen e Krujës sollën dëme dhe vështirësi të ndryshme, të cilat duheshin kapërcyer… Realizimi i një detyre të tillë kërkonte mbështetjen e gjithanshme të Gjergj Arianitit dhe bashkërenditjen e veprimeve ushtarake me të. 

Prandaj Skënderbeu forcoi lidhjet më Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën e tij, Donikën, në vitin 1451 (Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar. I. Botimet Toena. Tiranë 2002. Fq 415-416). Po kështu në këtë botim nuk na jepet data dhe muaji në të cilin u krye martesa e Kastriotit por vetëm viti.
Ndërsa disa autorë të tjerë të kohës, të mbështetur kryesisht te Biemi bëjnë përpjekje dhe e përmendin një fakt të tillë në librat e tyre. 

Kështu, Abas Ermenjit tek vepra e tij “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, thekson se “Gjergj Arianiti u afrua dhe dërgoi përsëri ndërmjetës për martesën me të bijën, Donikën, duke i premtuar një pajë më të madhe. Skënderbeu këtë herë s’kishte si ta shtynte për më tutje, dhe martesa u bë më 26 të prillit 1451” (Abas Ermenji. Vendi që që Skënderbeu nëHistorinë e Shqipërisë. Çabej. Tiranë 1996. Fq 52).

Po kështu edhe Edwin Jacques te libri i tij “Shqiptarët”, duke ju referuar Nolit(Noli. 1921. Fq 269), për këtë ngjarje shkruan se “Gjatë një intervali të lumtur midis fushatave të pandërprera ushtarake, më 26 prill 1451, në katedralen e Krujës, u bë martesa e Skënderbeut tridhjetë e nëntë vjeçar me Marina Andronikën” (Edëin Jacques. Shqiptarët. Kartë e Pendë. Tiranë 1998. Fq 210).

Të mbështetur në të dhënat dhe trajtimet e mësipërme rreth kësaj ngjarjeje, tashmë mund të theksojmë se, realizimi i saj ishte një hap që i dha një shtytje të mëtejshme luftës shqiptaro-osmane të shekullit të XV. Studimi dhe trajtimi i plotë i saji kësaj martese na jep një tablo të qartë rreth periudhës dhe zhvillimeve historike, të cilat mbyllën veprimtarinë e Lidhjes së Lezhës për ti hapur rrugën krijimit të Shtetit të Përqendruar të Skënderbeut. 

Në këtë drejtim një nga autorët që na e përshkruan në mënyrë të hollësishme këtë periudhë është natyrisht Fan Noli. Te historia e tij për Heroin, ai na paraqet situatën reale në të cilën ndodhej Shqipëria e vitit 1450, ku Skënderbeu ndodhej në një pozitë të vështirë për shkak se aleatët e tij në Lidhjen e Lezhës kishin nisur ta refuzonin, në një kohë kur vendi kërcënohej nga fushata e ardhshme e sulltan Muratit II.

Njëri prej këtyre aleatëve ishte Gjergj Arianiti, për të cilin Noli thekson se “Arianiti i zemëruar që Skënderbeu e shtynte për më tutje martesën me të bijën refuzoi t’i dërgonte ndihmë. Skënderbeu u përpoq ta zbuste dhe ti mbushte kokën që s’mund të bënte dasmë si humbi Sfetigradin dhe Beratin, dhe kur ky rrezik i turrej Krujës dhe Shqipërisë; zotohej që martesa do të bëhej pa vonim, porsa të shkonte furtuna që afrohej, po Arianiti s’donte të dëgjonte asnjë nga këto arsye: A dhëndër, thoshte, a s’ka ndihmë (Noli. Vepra IV. Fq 134). 

Dhe një qëndrim i tillë ndeshej në kushtet kur Skënderbeu ishte në një pozitë të vështirë, përpara fillimit të fushatës së organizuar nga Murati i II-të, i cili përgatitej të pushtonte Shqipërinë. Duke studiuar Nolin vërejmë se nga njëra anë janë osmanët që kërcënojnë Shqipërinë dhe përgatiten për ta sulmuar atë, ndërsa nga ana tjetër qëndron Gjergj Arianiti, i cili i mban mëri Heroit për shkak të mosrealizimit të martesës me të bijën.
Po përse Skënderbeu e kishte refuzuar martesën më parë me Donika Arianitin? Këtë gjë na e shpjegon përsëri Fan Noli. 

Diku aty ai shkruan se “Ngulma e Skënderbeut për mosmartesë, si do të shohim më vonë, kishte edhe një tjetër shkak me rëndësi kryesore: ishte frika se mos zemërohej nipi i tij Hamza Kastrioti, i cili kishte shpresë ti zinte këmbën sa kohë Skënderbeu s’kishte bij të tij… Duke u martuar, pra, në këtë rasje, e cila pa dyshim s’ishte për dasmë, Skënderbeu do të fuste zjarrin në shtëpi të tij, kështu, pra, martesa u la mënjanë dhe Arianiti mbeti i ftohur dhe i armiqësuar” (Noli. Po aty).

Kështu shfletimi dhe studimi i kësaj historie na nxjerr në pah karakteristikat e vërteta të shoqërisë feudale të kohës, ku martesat luanin veçse rolin e aleancave politike dhe koalicioneve ushtarake. Edhe fisnikëria shqiptare nuk përjashtohej nga marrëdhënie të tilla, ku funksioni kryesor i martesave dinastike ishte ai politik. 

Por mund të ndodhte edhe ndryshe që prishja apo mosrealizimi i tyre të sillte edhe mëri, armiqësira biles edhe konflikte. Ashtu si thekson edhe Noli sepse në këtë rast, shohim nga njëra anë një hezitim të Gjergj Kastriotit për tu lidhur në martesë me Donika Arianitin. Gjithsesi duhet theksuar se midis Kastriotëve dhe Arianitëve ekzistonte më parë edhe një lidhje tjetër martesore. E tillë ishte ajo e së motrës së Skënderbeut, Angjelinës, ishte martuar me Vladan Arianit Komnenin, vëllain e Gjergj Arianitit.

Ndërkohë që pas një refuzimi të gjatë, Skënderbeu, u detyrua së fundmi të martohej kundrejt këmbënguljes dhe qëndrimit imponues të Gjergj Arianitit në njërën anë, por edhe atë të kërkesës së popullit dhe të njerëzve të tij të afërt në anën tjetër. 

Kështu, populli e shikonte një lidhje të tillë si një aleancë ushtarake që do të ishte e aftë ta mbronte nga atë prej rrezikut të pushtimit osman. Për këtë rast, Barleti, në historinë e tij thekson se “të gjithë ishin të gëzuar që të dy princërit më të fuqishëm të Epirit u lidhën midis tyre me një krushqi të atillë, sepse dukej qartë që në të ardhmen fuqitë e tyre të bashkuara kishin për të mbrojtur lehtë nga çdo rrezik e dëm luftës” (Barleti. Histori.. fq 292). 

Ndërsa, po për këtë rast, Noli, midis të tjerave shkruan se “Shqiptarët ishin të bindur që të mos ngiteshin prej turqve disa vjet dhe kështu nis në prapë lutjet e krerëve që të martohej Skënderbeu për të lënë një trashëgimtar të fronit. Arianiti i kujtoi përsëri zotimin, dhe Skënderbeu s’kishte qysh të shpëtonte këtë herë. Martesa ishte e nevojshme se me këtë sigurohej aleanca me princin më të fortë të Toskërisë, ndihma ushtarake dhe financiare e të cilit ishte e domosdoshme për vazhdimin e luftës…”(Noli. Vepra IV. Fq 146).

Nga ana tjetër në lidhje me një martesë të mundshme të Gjergj Kastriotit kemi edhe qëndrimin e krerëve feudalë farefis apo bashkëpunëtorë të Skënderbeut, të cilët këmbëngulnin se një hap i tillë do ti sillte Kastriotit, trashëgimtarin e munguar. Të mos harrojmë se në vitin 1450, kur tratativa të tilla u bënë të fuqishme, Gjergj Kastrioti ishte 45 vjeç dhe e kishte kaluar prej vitesh moshën e martesës. Për këtë rast, ashtu si Noli më sipër edhe Barleti na njofton se “Purpurantët dhe princërit farefis nuk e linin Skënderbeun rehat, nga dëshira që kishin për të shtënë në mëndje më tepër kujdesin për çështjet familjare dhe për filizin që duhej ti zinte vendin”(Barleti. Fq 291).

Por Barleti na zbulon edhe shkakun e vërtetë të këmbënguljes dhe insistimit të Gjergj Arianitit rreth kësaj martese. Duket se pak kohë përpara se të realizohej kjo lidhje, ndoshta diku në vitin 1450, Gjergj Kastrioti dhe Gjergj Arianiti kishin përfunduar një marrëveshje, për të realizuar një aleancë të përbashkët antiosmane e cila parashikonte në fazën finale, kurorëzimin e Kastriotit me vajzën e Arianitit. 

Për këtë Barleti thekson shumë qartë se “Kastrioti, megjithëse lidhej si me zinxhirë në këtë mes kundër dëshirës së vet, prapëseprapë, kur merrte parasysh rrethanat me radhë, e gjente të udhës ta bënte atë punë më tepër për nderin dhe dobinë e saj, dhe nuk duhej që ta mohonte përsëri, sepse ua pat dhënë fjalën vitin e kaluar, kur ja kërkonin me aq ngulm” (Barleti. Po aty).

Kështu martesa aq e pritur dhe aq e përfolur u realizua më në fund në 26 prill të vitit 1451. Vetëm atëherë, Gjergj Arianiti e pasoi Skënderbeun në një aleancë analoge si ajo e Gaetës me mbretin e Napolit. Marrëveshja u nënshkrua në qershor të atij viti dhe sipas saj, të dyja palët binin në ujdi që të luftonin bashkërisht kundër turqve osmanë.

3

Por ku u zhvillua martesa e Skënderbeut?! Kjo është një pyetje të cilës deri më sot askush nuk mund t’i japë të dhënë bindëse, qoftë nga autorët e vjetër apo ata bashkëkohorë. Një gjë e tillë ndodh për shkak të mungesës së dokumenteve të shkruara. Aludohet që dasma u zhvillua në Kaninë atje ku Gjergj Arianiti kishte selinë. 

Më pas ajo vijoi në “shtëpinë” e dhëndrit në Krujë. Legjendat dhe gojëdhënat për martesën e Skënderbeut në Kaninë kanë mbetur të gjalla edhe sot në rajonin e Vlorës. Njëra prej tyre e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Gjergj Arianitit thotë: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin. Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë”(Akademia e Shkencave. Epika Historike. I. Tiranë 1983. Fq 133).

Po kështu dëshmitë verbale kanë bërë që në këto vite të prezantohet edhe hipoteza se Skënderbeu është kurorëzuar me Donikën në altarin e kishës së manastirit të Ardenicës në Lushnjë. Sipas tyre, çifti mbërriti në këtë manastir pas dasmës së zhvilluar në shtëpinë e nuses në Kaninë, në 21 prill 1451. Ata shoqëroheshin nga princat shqiptarë, njerëz të familjes, ambasadorët e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Venedikut. Ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 prill 1451, i drejtuar nga peshkopi Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodhej edhe manastiri i Ardenicës. Të nesërmen Skënderbeu me Donikën u nisën drejt Krujës, ku u zhvillua dasma madhështore në shtëpinë e dhëndrit, sipas riteve të traditës shqiptare.

Fatkeqësisht biblioteka e këtij manastiri u dogj në vitin 1932 së bashku me librat, dorëshkrimet dhe dokumentet, por te murgjit të tij, jehona e kësaj ngjarjeje u transmetua nga brezi në brez, deri në vitin 1967, kohë kur furia ateiste i shkatërroi institucionet fetare dhe bashkë me to dhe një pjesë të kujtesës sonë historike. 

Këtë dëshmi e ndeshi dhe e publikoi peshkopi Irene Banushi, i cili në vitet 1960 jetoi disa kohë në gjirin e komunitetit të murgjve të këtij manastiri (Andrea Llukani. Krishtërimi në Shqipëri. Botimet Trifon Xhagjika. Tiranë 2012. Fq 323).

Gjithsesi martesa e Skënderbeut shënoi një pikë kthese në zhvillimet e Luftës Shqiptaro-Osmane të shekullit XV. I liruar nga presioni i tyre, i forcuar nga aleanca me Gjergj Arianitin dhe me një tjetër prestigj tashmë, ai nisi goditjen ndaj partikularizmit të krerëve aleatë të Lidhjes. Si kryekomandant i saj ai “iu vu punës” për krijimin e një shteti të përqendruar në duart e tij, i cili me gjithë problemet që hasi dhe situatat që kaloi, funksionoi deri në momentin kur Heroi vdiq në 17 janar të vitit 1468. 

Ndërkohë që kjo ngjarje pati edhe rrjedhojat e saj në aspektin shoqëror. Rrjedhojat e saj të pritshme nuk vonuan. Kështu, pas tre vjetësh ajo i solli Skënderbeut atë që dikur Barleti e quante si “filizin që duhej t’i zinte vendin”. 

Lindja e Gjonit të Ri, i cili sipas traditës mori emrin e gjyshit, solli të tjera ngjarje. “Duke u martuar Skënderbeu do të fuste zjarrin në shtëpi të tij”, – theksonte Noli në historinë e tij. Dhe pikërisht në vitin 1457, Hamzai, i nipi dhe njëri prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, tradhtoi. 

I mbetur pa trashëgiminë e Kastriotëve, atij si ushtarak nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të bënte atë që kishte bërë më mirë në jetën e vet. Të merrte armët dhe t’i drejtonte ato kundër të ungjit.

Gjithsesi, këto zhvillime nuk e zbehin rëndësinë e martesës së Skënderbeut, e cila në të ardhmen duhet të bëhet objekt i studimeve të reja në fushën e historiografisë.